Muhurri, histori dhe personalitete – një enciklopedi e gjithë zonës


Përse duhet të lexohet libri i Halil Ramës për Muhurrin, vendlindjen e tij, zonë e përmendur në historinë e vjetër dhe të re të Dibrës? 

Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem me përshtypjet që më la ky libër gjatë leximit të parë, në daktiloshkrim, me mirësinë e autorit. 

Duhet lexuar sepse është shkruar me shumë dashuri, deri në tepërim, për dymbëdhjetë katundet e kësaj zone, njëri me histori më të pasur se tjetri; një prej teprimeve më të përligjura në punët e autorësisë, që është një mister, aq mister sa vetë Bāsi, Krijuesi, sipas fjalës së përdorur në librin e parë shqip. 

Ismail Kadare, në vitet 1960, kur ishte për studime në Moskë, në poezinë Malli i Shqipërisë shkroi edhe këto dy vargje: 

Ata që shpikën shpejtësinë reaktive,

Larg atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë. 

Dhe ja ku vijmë sakaq tek arsyeja e dytë. Janë me mijëra ata banorë të fshatrave të Dibrës (dhe Muhurrit) që e kanë lënë Itakën e tyre dhe tani ndodhen në kryeqytet e rreth e përqark. Janë kryeqytetas. Janë harruar cilësimet përkeqësuese për ta, janë miqësuar me vendësit e vjetër, siç ka ndodhur gjithnjë me dibranët. Është një çështje më vete të shpjegohet pse, bashkë me krahina të tjera, u shpopullua edhe Muhurri. Por një gjë është e qartë: një brezi të ri të të shpërngulurve prej andej, në s’u mungoftë sot, një ditë do t’u mungojë vendlindja, historia e familjes, e fisit; do t’u mungojnë varret e të parëve, kishat dhe xhamitë, dasmat dhe ritet tradicionale. 

Nuk është traditë në viset veriore të Shqipërisë të shkruhen gjenealogjitë e fisit dhe kronikat familjare. Afërsisht 15 vjet më parë, kur isha ngarkuar të drejtoja rrjetin arkivor të Shqipërisë, shërbimin e dokumenteve për gjenealogji, e kisha zgjidhur me rregullore që të bëhej falas. 

Atëherë, si të marrin lehtë të dhëna të përgjithshme dhe të njohin të parët e tyre, djemtë dhe vajzat muhurrake, tashmë qytetarë të Tiranës apo Durrësit? 

Libri i Halil Ramës është zgjidhja më komode. Sepse është një enciklopedi e gjithë zonës, prej hershmërisë antike deri në kohët moderne, me bëmat dhe gjëmat e saj, pa kritere përjashtuese, duke filluar prej përshkrimit gjeofizik deri tek ai etnografik e historik; mbështetur në kujtesën e shkruar dhe atë gojore. Besoj se libri do t’i ndihmojë brezat e rinj jo vetëm për të njohur paraardhësit, por edhe kushërinjtë e tyre. Në këtë kohë largësimi ky është një shërbim që meriton nderim. 

Lexuesi duhet ta dijë se autori i këtij libri ka lexuar shumë dhe është munduar shumë. Edhe studiuesi mund të përfitojë. Sidomos në kohën e sotme, që pak mundësi ofron që studiuesit shqiptarë të bëjnë ekspedita kërkimore në terren. 

Një grup studiuesish rusë të shqipes dhe dialekteve të saj, një dekadë e ca më parë, kanë bërë kërkime dhe regjistrime të folësve të Muhurrit dhe dy vëllime me lëndën gjuhësore të mbledhur janë botuar bashkë me regjistrimet zanore. Dy dekada të shkuara në Muhurr bënë kërkime studiues bullgarë që kishin interesa shkencorë për zhvillimin historik të identitetit të shqiptarëve. 

Libri i Halil Ramës është një iniciativë vetjake, nuk është projekt akademik apo institucional, por burimet që ofron, edhe në mos qofshin të gjitha të vërtetueshme, janë me dobi të veçantë për studiuesit: etnologë, antropologë, dialektologë, folkloristë, edhe historianë po të doni.