“Edhe unë jam nga Muhurri!”


Vendlindja, trualli që gjymtyrët prekin për herë të parë, ku për herë të parë thithin ajrin e kësaj toke, ku lëshon pikën e parë të lotit dhe ku zëri lajmëron vazhdimësinë e jetës, duke përcaktuar që prej atij çasti emrin e këtij trualli që do e ndjekë pas gjithë jetën, deri në përjetësi. Fjalët e bukura e të ndjera janë në nderin dhe fisnikërinë e atij që di të respektojë e të falënderojë këtë tokë që e priti.

Nuk ka krahinë në Shqipëri me më shumë tituj librash, të shkruar e të botuar nga autorë dibranë. Kjo më bën të shpenguar, të sigurt e bindës kur them: Nuk është e rastit që fjala Dibër rimon bukur me fjalën Libër. DIBËR – LIBËR. Askund tjetër nuk e gjen këtë lidhje. Vërtetësinë e këtij përcaktimi, me këtë togfjalësh e përforcon dhe shkrimtari e publicisti dibran Halil Rama, që deri tani ka botuar 16 libra… E sa e sa të tjerë pas këtij libri. Vetëm ai e di… Ne, si lexues, presim.

Përkushtim, seriozitet, dinjitet, dashuri, mall, respekt, mburrje, nostalgji, krenari, të gjitha së bashku këto ndjesi, si një gjerdan gurësh të çmuar në gjoksin e Halil Ramës, japin shkëlqimin dhe meritën e të suksesshmit që çdo muhrrak e çmon dhe e vlerëson këtë punë, që duke mbledhur germë pas germe, ashtu siç milingona punon, ka ngritur me pasion këtë kështjellë kryelartë, të pakrahasueshme të Muhurrit.

Mbasi vështrimi shkëputet nga rreshti i fundit i librit dhe gishtat me delikatesë mbyllin kopertinën, për një çast kupton që, me njohuritë që ke marrë për historinë e vjetër dhe të re, ngjarjet e personazhet, me hollësitë e pafund të fshatit, vetvetiu të mbështjell një ndjesi e brendshme krejt e veçantë, deri aty sa edhe ty të ngjan vetja si të jesh një banor i hershëm i Muhurrit. Edhe kjo meritë e autorit, në kohën kur sot fshatin po e braktisin, me leximin e këtij libri duket sikur fshati shtohet me banorë të tjerë të rinj, që e njohin aq mirë Muhurrin, edhe pse në formë virtuale.

Një privilegj për muhrrakët, se kudo, në çdo cep të botës që të jenë do të kenë pranë vetes malet, fushat, lumin, lulet, shtëpitë, komshinjtë, familjen e gjithë të njohurit e dashur e të shtrenjtë të vendlindjes, për të mos i harruar kurrë. E nëse një ditë, larg, aty ku je, të merr malli e i thua vetes po shkoj në fshat, tani e ke më të lehtë, se bën dy hapa dhe fshatin e ke të gjithin në raftin e bibliotekës, si një dhuratë të çmuar nga bashkëfshatari yt, tashmë aq i njohur për krijimtarinë e tij, Halil Rama.

Mbas leximit të librit edhe unë, si dibran, tashmë jam i bindur më mirë, më saktë e më hollësisht për vendin, ngjarjet me njerëzit. Njoh Muhurrin. E kështu, me plot gojën, nuk gaboj kur them se unë jam nga Muhurri! Nuk beson? Më pyet për gjithçka e jam gati të të jap përgjigjen për të gjitha e me hollësi.

Në faqet e këtij libri, midis rreshtave, si në një pasqyrë, çdo muhrrak do të shohë veten dhe do të arrijë në përfundimin se në këtë pasqyrë të krijuar nga mendja dhe dora e Halilit duket më i mirë, më trim, më punëtor, më i bukur e më i mençur, dhe thellë nga shpirti do t’i dalë urimi për këtë krijues të veçantë, unikal: Faleminderit Halil, krenari e Muhurrit! Paç uratën!