Përse nuk më shkrove inxhinier Luani?


Kur pena nuk i hapën udhë vetes e truri nuk pjell fjalët e duhura  si veprohet? Balli më është rënduar si të ishte parzmore plumbi.  Kërkoj të kap fillin e Arjanës për të shkruar një shkrim mbi… Eh sa e vështirë qenka, të ma besoni!  Sa e dhimbshme të lidhësh disa fjalë, për të formuar fjalinë apo një ligjëratë të tjerrun për një të njohur! Po nxirre, të shkretën, shkruaje, se na plase, – turfullon lexuesi. Nuk mundem, se është lajm i kobshëm. Nuk e dëshiroja. Ma la peng në zemër e në shpirt, kur më shkruajti. Dua të flas me juve, më dërgo numrin e telefonit. Me sa duket, duhej të përsëritej letërkëmbimi e propozimet e vitit 2012. Por…

Unë ju përgjigja: “Flasim të dielën pasdite, se jam në shtëpi ose pas orës 19.00 çdo ditë. Po të mundesh më shkruaj shkurt problemin. Të përshëndes. Kumt.  27 mars 2020.”

Një lajm i zi si tajfun i fuqishëm u përplas dhunshëm mbi shpirtin tim. E lexova, rilexova, kërkova lajme të tjera që ta mohonin. Por, jo, një kumt me një fjongo të zezë shkruante: “Vdekje e papritur, e parakohshme, ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Luan G. Leka, 04.05.2020.,,

Ula kokën duke i vënë ballit dorën në formë grushti. Ai filloi të nxehej, pikla djersësh më lagën shpinën e dorës. Qelizat e trurit filluan të zbulonin nën rrudhat e tyre Luanin, djalin trupshkurtër e atlet, fytyrën e bardhë e të rrumbullakët, me sytë e ndritshëm, zërin e butë, me hundën e vockël, që fytyrës i jepte një pamje tepër simpatike. Vishej thjesht, por e mbante veten, duke shprehur një kulturë jetese të dallueshme nga teknikumasit dibranë.  Natyrshëm m’u zgjuan të rinjtë që vinin nga nëntë malet e Dibrës, në vitin 1972-1974 në Shkollën e Mesme Pyjore Shkodër; Laim Baloshi, Halim Lala, Sabri Pira, Medi Shtrezi, Ismail Hysa, Gëzim Hoti etj. Luani ishte më trupshkurtri e që shoqërohej për bukuri me të gjithë.  Vite që rrodhën qetësisht, lumturisht me të gjitha grimcimet e jetës konviktore e shkollore, të cilat hera-herës rishfaqen si zanat në pyjet e virgjër.

Inxhinier Luani lindi me 25.05.1955 nga një familje nga Gorica e Dibrës. Diplomohet Teknik i mesëm pyjesh në vitin 1974, me rezultate shumë të mira, të cilat i hapën udhën e vazhdimit të studimeve në Fakultetin e Pyjeve Kamëz, Tiranë. Pasi përfundoi studimet në vitin 1978, emërohet inxhinier pyjesh në Ndërmarrjen e Pyjeve Peshkopi, duke punuar në degën teknike si inxhinier sektori pyjor, më pas emërohet shef sektori në vitin 1984.

 Puna e tij e kujdesshme, aftësitë inxhinierike, përvoja organizative, sjellja e tij, shpirtbutësia, pasioni për profesionin e pylltarit i sjellin atij frytet e një emërimi të ri. Kështu, që nga viti 1985 – 1992, inxhinieri Luan Leka punon kryetar i degës teknike pranë Ndërmarrjes së Kullotave Peshkopi.

Për të nxjerrë në pah punën e tij në studime e projektime, në ndërtimin e lerave të ujit në rrethin e Dibrës do të shkruaj: “Në kullotat verore të ekonomisë Mbas Deje – Bulaç, gjatë viteve 1980-1985 e deri në vitin 1993 janë ndërtuar mbi 25 lera uji me plasmas, me kapacitet 240-250 m³ ujë.

Projektues dhe preventivues i tyre kam qenë unë, jo vetëm aty, por në të gjithë ekonomitë kullosore të  rrethit të Dibrës.,, (L. G. Leka, letër 17.10.2012) Tregues i cili e vendos inxhinierin e pyjeve Luan Leka në piedestalin e aftësive të tija jo vetëm projektuese, por edhe në punën e tije si maratonomak i këtyre trevave për të kryer matjet e ndjekur punimet në malësitë e Dibrës, mbi 1700 metra lartësi. Sa djersë, sa sakrifica, sa lodhje e bashkëpunim me zooteknikë,  punëtorë, muratorë, kooperativistë etj. Frytet e djersës së tij të lodhjes fizike, mendore dhe zbatimi i shkencës së projeketimit janë shpërndarë në pllajat e bjeshkëve të Dibrës, ku jo vetëm funksionojnë, por janë sytë e kaltër të peizazheve të këtyre vendeve të mrekullueshme.

Inxhinieri Luan Leka është autor i shumë studimeve, ku në pamundësi t’i shkruajmë të gjitha, po japim disa prej tyre

Studimi i filizërisë në pyjet halore (1979). Studimi i kullotave të ekonomisë kullosore Korab (1980). Studimi i potencialit të bimëve mjekësore në shkallë rrethi (1987).  Studimi i kullotave në rrethin e Korçës (1988). Ka kryer punimet në terren dhe ka hartuar projektin e inventarizimit të kullotave për rrethin e Dibrës (1981).

Ndërrimi i sistemit ekonomik nuk e trembi inxhinier Luan Lekën, nuk e demoralizoi dhe nuk e futi atë në brazdat partiake, përkundrazi, ai krijoi në vitin 1996 kompaninë “Korabi” shpk, duke e udhëhequr si drejtor, me aktivitet kryesor “Projektime dhe zbatime në fushën e pyjeve dhe mjedisit”. Ndërsa pararendi duke kryer kualifikim një vjeçar me shkëputje nga puna në Fakultetin Ekonomik (1988), i cili i shërbeu për të çarë si zgalem në projektet e studimet mbarëkombëtare e ndërkombëtare si me Kosovën, Maqedoninë, Holandën, Bashkimin Evropian etj.

Edhe këto sipërmarrje të fuqishme të cilat kërkonin përgatitje të lartë profesionale, aftësi të veçanta inxhinierike e ekonomike, për shembull, njohjen e shkëlqyer të anglishtes dhe bashkëpunim e bashkërendim me koleg të ndryshëm. Do t’i konkretizojmë sipërmarrjet e mësipërme për të krijuar bindjen e thellë, se si ka vepruar e realizuar këto: “Nuk e di a mund të kombinojmë bashkë (me S.Meziu) për të aplikuar tek projektet e BE-së (IPA) ose projektet ndërkufitare me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi,  Greqinë dhe Italinë.

Në fakt, unë (inxh. Luan Leka) kam  hartuar dhe aplikuar dy projekte  në BE… Njëri me temë: “Promovimi i vlerave turistike të llixhave të Peshkopisë dhe Elbasanit,, nga shoqata ime “Ecodibra” dhe për palën maqedonase, Llixhat e Kosovrastit, përfaqësuar nga shoqata “CeProSard”, të cilat ishin lider i projektit.” (Luan G. Leka, Letër 18.10.2012) 

Inxhinier Luan Leka është hartues i një projekti mbi: “Përmirësime pyje në pishë (Prerje pastruese) dhe ndërtim infrastrukturor në Parkun Kombëtar Lurë”. Meqenëse i njihte mirë këto terrene me  pyjet që shtriheshin në relieve të thyera në vitin 1995, inxhinieri kthehet përsëri në malësitë e Lurës në vitin 2002 për të kryer mbarështimin e pyjeve të ekonomisë pyjore Krej – Lurë – Arrmoll.

Hartimi i planeve të mbarështimit në disa komuna të rrethit të Dibrës si Melan, Maqellarë, Sllovë, Kala e Dodës, Arras, etj. Inxhinier Luani nuk përzgjidhte llojet e projekteve. Ai harton nga ato në sistemime malore, të përrenjve të Gramës, Gjelagjoshit, Peshkopisë, të fshatit Zimur etj. Dhe më tej për gjatë punës së tij inxhinier Leka ka hartuar e zbatuar edhe disa projekte pyllëzimesh, si me fidanë gështenje në komunën Tomin, akacie në fshatrat Deshat, Borovjan, Sohodoll, Vrejn në sasi prej 30 hektarë ose 75,000 rrënjë, plep kanadez në sipërfaqe 20 hektarë në fshatin Kishavec komuna Kastriot, rrethi Dibër. 

Inxhinieri Luan Leka me shkathtësinë e tij, me dëshirën për të vazhduar punimet e terrenit dhe projektuese i kryen ato edhe në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, pa pyetur për sakrificat, vështirësitë, largësinë nga familja etj. Hartimi i Planit të mbarështimit të pyjeve dhe kullotave të komunave Maminas, rrethi Durrës, Thumanë, rrethi Krujë dhe Shënkoll, rrethi Lezhë në vitet 2010-2011 dhe atë të kullotave të komunave Xare, Dhiver e Aliko, rrethi Sarandë.

Puna e tij intensive, përvoja e gjatë në hartimin e projekteve, ndjekja e udhëzuesve dhe të rejave edhe nëpërmjet trajnimeve në fushën e pylltarisë, të shkencave të mjedisit, konkurrimi i ndershëm e kthyen inxhinier Luan Lekën në një specialist të  kërkueshëm në kryerjen e këtyre projekteve në fushën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Telefonatën nuk e realizuam, as kumtin nuk ma shkruajte e dërgove, problemin që kishe nuk ta mësove, atë dibrani im e koleg i dashur i more me vete, duke ma lënë peng mua, se çfarë të mundonte, çfarë zgjidhje kërkoje, çfarë dëshiroje të diskutonim. Megjithatë, unë dhe kush të ka njohur e ka punuar me juve, jemi krenar e mburremi, sepse keni lënë pas si fener të pashuar krijimet e tua të shumta në lëmin e projektimeve, të studimeve shkencore, përvojën tuaj të shkruar në referimet e punimet e ndryshme. 

Unë kam shkruar vetëm majën e Korabit të tyre. Na befasove, na përlote e na copëtove shpirtrat e zemrat familjes, të afërmve të tu, neve që të njohëm, që bashkëpunuam e mësuam, kush të njohu, gojëmjalti e inxhinieri që i dhe kaq shumë Dibrës, saqë ajo do të të jetë mirënjohëse gjithmonë.

Kolegu dr.Selman Meziu 

  1. 06. 2020