“Valle çmendurie”, libër për dukuritë e jetës


Ky libër “i vogël” është me 91 faqe, por i madh në përmbajtje, dritëkohorë e mbi të gjitha diagnostigues ndaj dukurive të jetës, stigmatizues ndaj politikës denigruese bashkëkohore, pasqyrë e ndritshme ndaj negativitetit aktual, përqeshës ndaj falsitetit drejtues e servil, zhvatës e mashtrues të të votbesuarëve a postdhimbjeve të pa merituar. 

Në çdo fabul, te çdo varg, lexuesi i kujdesshëm zbulon dukuri të jetës, ballafaqon realitetin me atë çka ndodh nën petkun e pozitës, të votbesimit a të ngjitjes aty ku shpërfaqet formalizmi, maska a lajkataria çnjerëzore.

 

* * *

Autori Cenaj, ky punëtor i denjë i pendës, publicist, poet e fabulist i talentuar, pas disa botimeve të arrira që te “Fol o Mat”, kohët e fundit doli para lexuesve me librin e thjeshtë, por të rrallë fabulistik “Valle çmendurie”, ku te çdo fabul, strofë a varg, përcjell mesazhe bashkëkohore, ka shkruar me syrin e “okulistit” të shoqërisë, ka “diagnostikuar” dukuritë e jetës, veset, antivlerat, falsitetit e politikës, të politikanëve megallomanë e drejtuesve burokratë, servilë e zhvatës, të lindur për dredhí.

Përvoja krijuese e Qemal Cenajt të Matit është rrezatuese, e përgjegjshme, këmbëngulëse e mbi të gjitha e kuptueshme, tërheqëse dhe e frymëzuar për lexuesit. Puna si drejtues i gazetës “Mati”, shembëllimi prej specialisti novator në disa profesione, përkushtimi gazetaresk, poetik, publicistik e shpirti krijues në gjininë e fabulës, bëjnë pa mëdyshje që Qemal Cenaj (jo për hiperbolë, por për realitet) të quhet “Ezopi i Matit”. Pra, dëshmitë e botimeve, ndjesitë lirike e mbi të gjitha shembëllimi ndaj dukurive bashkëkohore tregojnë se Cenaj i Matit ka një përvojë të çmuar, ka prova krijuese e mbi të gjitha mjeshtëri artistike e thellësi mendimi, talent e thjeshtësi në trajtimin e dukurive, të cilat i hapin horizonte dhe frymëzojnë lexuesit. 

Dihet se Mati, vatra e Budit e plot filozofëve, vatra e poetëve Milloshi, e të talentuarit studiues Behar Gjoka, lirikut Basir Bushkashi, mjeshtrit e të palodhurit, poetit Hamdi Hysuka, bilbilit të shkrepit Bajram Canameti, të poetëve të shquar Kujtim Stana, Fatmir Gjestila, Fatmir Neli, Rakip Lasku, Faik Xhani, studiuesit Artan D. Kurti; të historianit, ushtarakut e studiuesit Sefer Duka, studiuesit Aqif Ymeri etj, dëshmohet se është vatra e pasuesëve të Budit, e studiuesit të paharruar Dilaver Kurti; vatra e bilbilave popullorë e plot jehonë për kombin, babë e bir Ymer e Behar Nelaj, Sabri Aliaj, të shquarit të krijimtarisë e studimeve muzikologjike, Esat Ruka e deri te poeti më i ri, Sokol Llozhi e plot të tjerëve në plot gjini krijimtarie të çmuar për kohën, traditat e për brezat tanë.

 

* * *

Krijimtaria fabulistike e Qemal Cenajt ka filozofinë e kohës, mençurinë e matjanit, mbart vlera e mesazhe jete, godet me art, satirë therëse, si dhe i bën lexuesit të meditojnë, të njohin antivlera të veshur me petkun e pozitës, me petkun e politikanit a deputetit. Në fakt realiteti është ai që shkruan z. Cenaj te “Valle çmendurie”, valle e ekstremizmit anti njeri-tjetrit, valle për karrierë të pamerituar, për maska, servilizëm, burrokraci të shfrenuar, valle me të pazotë që u kundërvihen vlerave, të zotit, bilbilit. Cenaj shkruan:

Valle nisin me finesë

pula, gjela, shpend të pyllit

dhe hutini me përtesë 

dajrexhi, nis e i bie fyellit…

Grindjet, sharjet, shitmendjet, trifytyrësia, servilizmi, mburrjet pa bukë, pa baza, zënë vend në vargjet fabulistike:

S’dinë të sillen, nga t’ia nisin 

e kush ndjek më melodi

njeri-tjetrin veç çukisin, 

ti je çmend, / i çmendur ti

Autori Cenaj është vëzhgues i hollë, di të godasë, të demaskojë me art atë çka ndodh sot në politikën makbethiane të etur për pasuri, dredhi, amoralitet, favore e pabesi, e vetdemaskuar në sy të brezave. Fabulisti Cenaj stigmatizon konformizmin, të krekosurit, boshët e kohës, ata që siç thotë populli, bëjnë të 99-tat e hiqen “hizra”, “shenjtorë” në postet që kanë ngjitur me stile dredhie:

U puthën dhe u lëpinë 

u hëngrën dhe u shtynë

por u lodhën, veç më kot 

mesin e botës s’e gjenin dot… 

(Mesi i botës, strofa e dytë)

Fabulat e Qemal Cenajt janë një “rrufe” shpartalluese mbi politikën, postet fallco, formalizmin, shtetarët lubí, ekspertizat e bufanadat në udhët e jetës:

Një maune bef në derë

thanë komshijtë: Ka sa herë..

atë mëngjes video perfekt 

pa vonesa nga arinjtë ekspertë

konkluzioni krejt i rrallë 

kish shkarkuar vetëm fjalë. 

(Ekspertizë, faqe 6)

Me plot domethënie, filozofi e mesazhe jete janë fabulat “Klloçka”, “Besa”, “Vendimmarrje”, “Gomari dhe pela”, “Pas një viti”, “Turtulli”, “Zarfi”, “Koha”, “Vendi i shenjtë”, “Daci dhe ujku” etj. Kontrastet çnjerëzore, vetëfundosja e karakterit të politikanëve, e shtetarëve me tri fytyrësi, dekorimet bujamanë e të bëra me interes, apo të pa merituara, demaskimi ndaj falsitetit në lartësimin e vlerave tregon se fabula e Cenajt godet në shenjë, është një sprovë e ndritur për t’ia hequr qafe popullit padrejtësitë, antivlerat:

Dikur bëhej humor me ca kokrra,

sot jepen medalje për ca monstra… 

(Dikur, faqe 13) 

Vargu fabulistik i Cenajt ka mjeshtëri, figurë, përcjell mesazhe, të cilat i vlejnë njeriut, shoqërisë. Me anonimí autori godet. Pra, siç thotë populli, “Lum kush e ble fjalën!” Shoqëria, shteti, të eturit për karrierë, veset e kohës së demoshkërdhatokracisë që mbart sot njerëzia, shpërfytyrimi i të ngriturve në pushtet, ato çka sjell emigracioni etj, janë në “shpatën” e mprehtë të zotit Cenaj:

Jashtë stine delja polli, 

pëshpërin tufa në mëhallë 

me kureshtje vesh më vesh 

i gjori dash, kurbetqarë 

(Përgojim, faqe 20)

Filozofia matjane, përvoja krijuese, vëzhgimi i hollë, real e konkret i jetës, kohës, politikës (pordhithikës shqiptare M. B) si dhe mjeshtëria e trajtimit të urtësisë popullore i bëjnë fabulat e Qemal Cenaj tërheqëse, domethënëse, të çmuara e mbresëlënëse për lexuesit. Fabulat “Proverbi”, “Reklamë”, “Filli dhe lëmshi”, “Akuzë”, “Kush jam”, “Në provim”, “Në valikë” përcjellin ide, mesazhe, kritika therëse, si dhe mbi të gjitha goditje ndaj ligësive të kohës.

Autori Cenaj, mjeshtër e punëtor i pendës, siç është dhe në jetën shoqërore, e shikon jetën në sy. Ata që ngjiten dhe zbresin, ku lënë pas pafytyrësisë zhgënjimin e përsëri llomotisin, grinden, shajnë, turren e harbohen sikur duan popullin, sikur janë “të zot”, pasqyrohen te fabula “Anasjelltas”:

Fat i madh të ishte kështu, 

“jemi ne, se jeni ju”

e kundërta s’kuptohet vërté, 

“ikni ju, se jemi ne”

Kontrastet, metaforat, simbolet, urtësitë, vargu brilant me domethënie filozofike, realizmi dhe mjeshtëria krijuese, zënë vend në çdo fabul të këtij libri. Vetë titulli “Valle çmendurie” nënkupton politikë e politikanë të çmendur, larg popullit, larg halleve, të vetshpallur “demokratë”, apo “shtetarë”, prijës të rrallë, por që në të vërtetë bëjnë petulla me ujë, siç thotë populli. Shtiren meleq e janë dreq, “mjeránia politikë”…

Me të drejtë, pa mëdyshje e pa fare hiperbolë, theksojmë se Cenaj i Matit e meriton të quhet “Ezopi matjan”, Ezopi i kohës. E çfarë bëri më shumë Ezopi?! Sigurisht ai ishte real i kohës, goditës e satirik i shquar. Këto vlera i ka dhe libri fabulistik “Valle çmendurie”. Pra, vallja e mat valltarin. Kur del tek ajo duhet intuit, mençuri, frymëzim e mjeshtëri në interpretim. Pra, politika e politikanët s’duhet të çmenden, siç janë vërtetë:

Politika në plan të parë

ushqeheshim dikur

të dehur tash nga mrekullitë

e para dhe e fundit pikë

mjeránia politikë (Ngre e ul, faqe 29)

Autori Cenaj nëpërmjet anasjelles (inversionit) “mjeránia politikë” damkos marrëzinë e “baballarëve të kombit”, të atyre që vlojnë vëretë si kazan, apo siç e thonë matjanët e urtësisë, ”bëjnë si arrat në thes”.

Fabulat e Qemal Cenajt dëshmojnë se si intelektuali, mjeshtri i punës, njeriu i vlerave, jeton në kohën dhe godet antivlerat, ata që nuk çmojnë besimin, drejtësisë, mirësinë njerëzore:

Matanë gardhit ham e hum, 

qen kamshiu, s’di të ndali

bëhet buça tërë inatë

soji i tij është qen çakalli… 

(Qen çakalli, faqe 30)

Fabulat “Ndryshim”, “Shteg”, “Kohë e re”, “Dhelpra”, “Në festival”, “Tabelë frymëzimi”, “Tapia”, “Modë”, “Miza dhe grenza”, përcjellin mesazhe jete, vendosin në shpatën e kritikës dukuritë negative, siç thotë fabulisti:

Për të pasurit është shumëzimi, 

për të varfërit është pjestimi… 

(Tabelë shumëzimi, faqe 36)

Padrejtësia dhe falsiteti, krekosja dhe fundbataku njerëzor trajtohen me katër vargje nga fabulisti Cenaj:

Për një emër profesioni, 

shkollë pas shkolle vite plot

shko, merr sot një kartë partie, 

është diplomë dhe pilot.. 

(Lartësimi, faqe 42)

Demaskimi i dinakërisë, i mburrjes, qylxhiut, dredharakut, falsitetit në dashuri, injorancës, servilizmit, harresës e padrejtësisë ndaj djersës së humbur (Harresë, faqe 57), llafollogët shterpë, dështakët servilë etj:

Hajnisë veç iso i mban, 

fol e qesh dhe gjë nuk ndan

në të shumtën kacafytja, 

u rri pullë dhe në llum zhyutur… 

Antiteza e kohës, kontrasti çnjerëzor, utopia e karrierës, demaskohen artistikisht në fabulën “Zvarranikët”, faqe 62, ku autori Cenaj jeton me kohën dhe godet në shenjë nëpërmjet ironisë. Fabulat e tij bëjnë diagnozën e atyre që gërthasin, të atyre që janë provuar e përsëri trumbetohen e zotohen. Autori jep me mjeshtëri e realizëm se si duhet të shmangeni nga e kaluara, apo e sotmja që ripërtërit neodiktaturën në mënyrë të maskuar, ndaj “s’duhet të mbetemi shpresëvrarë”, thotë fabulisti:

Do i “pushtojmë” lartësitë

boll kemi ndejtur duke prit

vendimi i prerë dhe pikë

një herë një kohë tiqeshim zvarrë

s’mund të mbetemi shpresëvrarë 

(Zvarrankët, faqe 62).

Vargjet “i tha qeni qenit” (Lemeri), / nuk hyj më pa trokitur (Edukatë), apo “s’po ndahej me gomar jaranin” (Gomarica) etj, godasin dinakërinë, stigmatizojnë dukuritë, të cilat duhen fshikulluar. Të shkruara me frymëzim dhe mjeshtëri janë edhe fabulat “Vjetulla e dhelpra”, “Bima dhe ferra”, “Gazeta”, “Bushtrat”, “Zogjtë shtegtarë”, “Pacienti i fshatit”, “Ndodh”, “Bashkëbisedim” etj. Ortakllëku, konformizmi, politika shterpë dhe e dalë boje, anonimia ndaj ligësive, aktualitet allashqiptar:

Ulkonja dhe dhelpra, 

xhiro në një ditë

nënat e mashtrimit, 

pa presje e pikë 

(Bashkëbisedim, faqe 74).

Libri me fabula “Valle çmendurie” është dëshmi e kohës, pasqyrim i problemeve, ku me art e mjeshtëri ironizohet politika e politikanët, të cilët ia kanë bërë vendin që të demaskohen. Autori Cenaj, me përkushtim e sinqeritet, me urti e mjeshtëri fshikullon veset, antivlerat, dinakërinë, e cila bleron te politika e politikanët shterpë. Libri “Valle çmendurie” është vallja e kohës, e atyre që prijnë në valle e s’dinë ta heqin, por bëjnë si të çmendur. Është vërtetë koha epope, për dukuritë e jetës. Urime Qemal Cenaj i Matit, i shqiptarisë!