Braktisja e Dibrës nuk duhet të ndodhë


Nga Bujar Karoshi

Është koha që banorët të bëhen bashkë jo vetëm për ta kundërshtuar, por edhe për të kërkuar më shumë investime në të gjitha fushat e ekonomisë, në mënyrë që edhe nëse vendoset të ndërtohet, banorët nuk duhet të shpërngulen. Ata duhet ta ringrenë jetën e tyre rreth asaj toke dhe në ato troje. Është koha të maksimalizojmë kërkesat dhe interesat tona, me qëllim që shpërngulja të mos ndodhë, për asnjë çmim.

Pamje nga protestat e banorëve, nëntor 2020.

Qeveria shqiptare ka vazhduar me projektin për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Ashtu siç kishte premtuar edhe më parë, me miratimin në mars të ligjit nr. 38/2021, me 93 vota pro në parlamentin shqiptar, u vazhdua me nënshkrimin e kontratës për fazën e parë të procesit, e cila u firmos nga drejtori i KESH dhe përfaqësuesi i kompanisë amerikane Bechtel, me praninë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Faza e parë e projektit përfshin matjet topografike dhe studime hidrologjike; studime dhe inspektime gjeoteknike në terren; zhvillimin e strategjisë për realizimin e projektit; rishikimin dhe finalizimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor e social; përgatitjen e projektit teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave, si dhe shërbime të tjera të dakordësuara, për të mundësuar ecurinë e zhvillimit të projektimit të hidrocentralit të Skavicës.
Siç është e përcaktuar edhe me ligj dhe siç u deklarua edhe nga palët gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje, puna do të përqendrohet në terren, së paku formalisht, në studimet që duhet të trajtojnë probleme që kanë të bëjnë më lëvizjet sociale, ndryshimet mjedisore, shpronësimet, ndërtimi i infrastrukturës së re: banesa, shkolla, qendra shëndetësore e rrugë, ujësjellës dhe kanalizime, gjithçka që do t’i duhet komunitetit për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar.
Në këtë fazë të studimit do të duhet të ketë ekipe në terren që do të realizojnë matje të sakta, të informohen banorë për procedurat në vazhdim dhe të jetë e mundur të arrihet në rezultate, që në fund do të vendosin nëse duhet ecur përpara me ndërtimin e Skavicës apo procesi duhet të ndalet.
Mbulimi i shpenzimeve të fazës së parë do të mbulohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ashtu siç është bërë deri më tani. Sa herë që ka dalë në skenë “Skavica”, KESH ka harxhuara para për studime fizibiliteti, herë me fonde nga jashtë dhe herë me fondet e veta.
Në fillim të vitit Komisioni Europian është tërhequr nga mbështetja për Skavicën. Pas negociatave të qeverisë shqiptare me kompaninë Bechtel në fund të vitit të kaluar, drejtori i WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor) i dërgoi një letër drejtorit të Bankës Europiane të Investimeve, për dijeni edhe ambasadorit të BE në Shqipëri, ku njoftonin tërheqjen dhe kërkonin transparencë mbi marrëveshjen.
Deri më sot qeveria nuk ka lënë asnjë shteg të hapur se Skavica mund të mos ndërtohet. Ajo e ka bërë të qartë përmes ministres Balluku dhe zyrtarëve të tjerë se ky proces duhet të ecë përpara; madje është nënkuptuar se kush është kundër, është kundër “interesave të Shqipërisë”. Me fjalë të tjera, kush kundërshton dhe kush nuk është dakord, nuk është gjë tjetër veçse antishqiptar.
Ky është një qëndrim krejt dashakeq i përfaqësuesve të qeverisë. Kjo ka nxjerrë në pah arrogancën e qeverisjes, si dhe ka ngritur në nivelet më të larta përçmimin dhe fyerjen që u bëhet banorëve të luginës së Drinit. Sikur të mos mjaftonte kjo; ajo i mëshon argumentit se një nga avantazhet e ndërtimit të HEC është shpëtimi i fushës së nën Shkodrës; duke i trajtuar kështu në mënyrë të pabarabartë shtetasit e vet: ca duhen shpëtuar e ca duhen përmbytur e shpërngulur. Këta të fundit, madje, edhe si “antishqiptarë”.
Përpara tani janë 18 muaj që do të jenë të vështirë për banorët Dibrës, veçanërisht ata që kanë shtëpitë e pronat e tyre përgjatë luginës së Drinit. Dhe jo vetëm për ta. Janë muajt që duhet të tregojnë se sa janë të angazhuar për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e tyre, për të mbrojtur shtëpitë dhe tokat e trashëguara brez pas brezi.
Deri më sot, përpjekjet për kundërshtimin e HEC Skavica kanë dështuar, pasi me përjashtim të pak zërave, zyrtarisht protestat i kanë udhëhequr individë që nuk kanë parë dot përtej “shtëpisë së tyre”. Nuk ka pasur një përpjekje për t’i bashkuar fuqitë dhe energjitë, argumentet dhe faktet që të vërtetojnë dëmin që HEC i Skavicës bën në Dibër. Këto dëme i di mirë gjithkush, madje i di mirë edhe qeveria. Situata ka rrjedhur e tillë sa çdo argument që sillet kundër ndërtimit të hidrocentralit, trajtohet me një indiferencë të plotë; sikur duan të thonë se “keni të drejtë, por ky është një projekt 50 vjeçar, kështu që nuk kemi se çfarë bëjmë”. Sepse, ç’ka është e mirë për vendin, kërkon sakrificën tënde.
Por në qoftë se Skavica është një projekt 50 vjeçar, dëshirat për ta ndarë Dibrën në mes është një projekt shekullor i serbëve. Skavica e ndan Dibrën plotësisht dhe ky nuk është një trill në 3D, por një e vërtetë që kujt nuk do t’i dhembë sot, do t’i dhembë nesër.
Çuditërisht, qeveria nuk po flet tani as për variantet A dhe B, që marrin në konsiderate përmbytjet dhe shpërnguljet, por edhe zëra “të pavarur” specialistësh nuk kanë ngurruar të shprehin dëshirën për digën me nivel 485 metra, ajo që do ta dërgonte nivelin e liqenit deri në Maqedoninë e Veriut.
Tani është koha të kthehemi me këmbë në tokë. Është koha të bëhemi së bashku dhe të na udhëheqë arsyeja, bindja, dashuria dhe përkushtimi për vendin tonë.
Është koha të themi me plot gojën, pa droje, me të drejtën tonë dhe të Zotit, se me ndërtimin e Skavicës Dibra ndahet në dysh. Dibër nuk ka më, duam apo s’duam ne. Me ndarjen e një shekulli më parë, me ndarjet eksperimentale në emër të funksionimit të pushtetit lokal dhe me ndarjen fizike nga ujërat e liqenit; Dibra ka për të qenë vetëm një shprehje e historisë së Shqipërisë… Do të ketë Dibër të Madhe e Dibër të Vogël, Dibër në Lindje e Dibër në Perëndim; Dibër në Jug e Dibër në Veri; Dibër në Tiranë e Dibër në New York, por ajo njësia e vetme, unike, ajo Dibra në zemër të trojeve shqiptare nuk do të jetë më…
Është koha të kundërshtojmë me bindjen e plotë se ndërtimi i Skavicës nuk e shpëton fushën e nën Shkrodrës; por ajo përmbyt fushën e Dibrës. Skavica vërtet do të disiplinojë dhe do të rrisë kapacitetet e prodhimit, por ajo nuk do ta sigurojë dot se fusha e nën Shkodës nuk do të përmbytet më. Këtë e di edhe qeveria, e cila përmes ministres Balluku kishte thënë në kohën e miratimit të ligjit se “Skavica do të shpëtojë fushën e nën Shkodrës nga përmbytjet”, ndërsa tani flet për “minimizim të përmbytjet në zonën e nën Shkodrës”.
Skavica do të prishë ekosistemin; do të ndikojë në ndryshimin e klimës dhe rrjedhimisht do të ketë ndikim jo vetëm në shëndetin e banorëve apo në degët e tjera të bujqësisë dhe frutikulturës.
Skavica do të zhdukë fushën e Dibrës, do të nxisë lëvizjet apo shpërnguljet e popullsisë dhe do të krijojë probleme të pariparueshme sociale. Duhet të tregojmë se problemet e lëvizjes së popullsisë nuk do të prekin vetëm ata që u përmbyten shtëpitë, por edhe mijëra familje të tjera do të mbeten pa tokat e tyre – burime të vetme të jetesës në këto anë. Skavica nuk do na ndihmojë turizmin; përkundrazi. Qenia e saj kryesore si një rregullator për hidrocentralet e tjerë të kaskadës do të krijojë një brez të gjerë toke që do të përmbytet herë pas here dhe do ta prishë mjedisin.
Deri më tani qeveria ka pasur një vesh të shurdhër për të dëgjuar. Dëgjimi ka qenë gjëja më e lehtë, por nuk është e lehtë të dëgjosh ankesa apo kërkesat e atyre që do të shpërngulen nga trojet e tyre, ndaj është lënë për tani. Ka filluar periudha 18 mujore e studimit të kompanisë amerikane, kohë e cila duhet të jetë një përpjekje e përbashkët për të mbrojtur interesat e banorëve, për të rritur kërkesat e tyre dhe për të kërkuar një angazhim më të madh të qeverisë ndaj kërkesave të tyre.
Një peticion i banorëve drejtuar qeverisë, presidentit, ambasadës amerikane dhe kompanisë Bechtel është injoruar plotësisht. Fatkeqësisht, në këtë çështje nuk ka opozitë. Të gjithë janë bashkë, në dukje për të mbrojtur investimin e një kompanie amerikane. Tetë vite më parë, për interesat e tyre politike kompania amerikane nuk mori dot asnjë projekt infrastrukturor në Shqipëri, por tashmë është rikthyer dashuria e vjetër dhe në emër të investimeve amerikane po mbështetet një projekt që bie ndesh me interesat e banorëve të Dibrës.
Sot është koha të angazhohemi, të bëhemi bashkë dhe të kërkojmë më të mirën për interesat e banorëve të Dibrës. Nuk duhet të kemi asnjë droje për të qenë të hapur me të gjitha mundësitë për variantet e Skavicës, për t’u bërë më e mira për banorët dhe vendin.
Është koha që banorët të bëhen bashkë, jo vetëm për ta kundërshtuar, por edhe për të kërkuar më shumë investime në të gjitha fushat e ekonomisë, në mënyrë që edhe nëse vendoset të ndërtohet, banorët nuk duhet të shpërngulen. Ata duhet ta ringrejnë jetën e tyre rreth asaj toke dhe në ato troje. Braktisja e Dibrës nuk duhet të ndodhë.
Është koha të kërkojnë ngritjen e zërit të shoqërisë civile, mbështetjen nga organizatat mjedisore dhe ato që mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut. Nuk duhet të kemi fare droje ta krahasojmë rastin me Vjosën. Sepse nëse në Vjosë luftojmë të shpëtojmë natyrën e egër, për rastin e Skavicës po kërkojmë të mbrojmë njerëzit e gjallë. Duhet të flasim me median, e cila është e ndjeshme ndaj prishjes së ekosistemit nga makinat “of road”, por nuk shqetësohet për prishjen e jetës në mënyrë të drejtpërdrejtë për së paku 10 mijë banorë. Duhet të detyrojmë organet vendimmarrëse që përpara se të flasin për rritjen e prodhimit të energjisë dhe për përmbytjet e fushës së Shkodrës, pa folur më parë për jetën e banorëve të Dibrës. Është koha të maksimalizojmë kërkesat dhe interesat tona, me qëllim që shpërngulja të mos ndodhë, për asnjë çmim.