Hani i udhëtarëve planetarë


Poet, tregimtar, romancier, eseist, autor skenarësh për film e TV, njohës i gjuhës dhe i letërsisë frënge, nga e cila përktheu dhjetëra drama, klasike e moderne, romane, ese…; që nga fillimet i ushtron paralelisht poezinë dhe prozën; realiteti që e përfshin brenda tre llojeve letrare është konsistent dhe unik, në përmbajtje, në kohë, në hapësirë; ndjesia, perceptimi, artikulimi artistik i botës përreth është veçantia e parë e krijimtarisë letrare të Bashës; ritmi i botimeve i maturuar, – çdo 2-3 vjet me nga një libër, pa bujë, pa paralajmërime e paslajmërime; konstant si në jetë, si në letërsi, si në format dhe veshjet narrative, që nga botimet e para në poezi dhe tregime, këtu e 50 e më shumë vite; artin e vet e sjell me gjuhë plotësisht dalluese, në kuptim të drejtpërdrejtë të fjalës, të veçantë në letërsinë bashkëkohore të shqipes; groteskore, përqeshëse (qesh e ngjesh…), me tis të hollë, elegant absurdi; me optikë narrative të përthyer, të zhvendosur të botës, të përditshmërisë konkrete, gjithë nuancime të holla, estetikisht perfekte; gjithë duke ia lënë të hapur dritaren lexuesit që optikën zhvendosëse narrative ta kthejë në kënd real dhe ta shohë si në dritë të diellit hapësirën ku lëvizin personazhet, botën tonë përreth, të përditshmen, sidomos atë, pjesën e kontaminuar, agresiven dhe depresiven…
Gjithë në këtë rrafsh, skrupuloziteti mimetik i Bashës, qoftë i mbështetur në traditën narrative, poetikën lirike romanore dhe tregimtare dhe trendeve të saj; besueshmëri perfekte mes faktit dhe trillit, mes të thënës dhe të fshehurës, mes shtesës dhe shkurtesës, mes vënies dhe fshirjes së thojzave – e kisha me shaka dhe seriozisht, mes buzëqeshjeve ironike dhe refleksit brengosës, detajeve dhe tërësisë…
Çfarësia që e rrethon autorin ndërsa, përditshmëria e trazuar, ajo më acaruesja përballë, ka vlerat e lënduara, jo rrallë të kthyera kokëposhtë; shkelja pa skrupull e tyre nga një etje për pushtet – (etja për pushtet është më shqetësuesja, më e liga etje e njerëzimit…), që nga derivojnë etjet e tjera, – pushteti i lekut, pushteti i postit, pushteti i shthurjes së moralit dhe deri te agresiviteti, brutaliteti, injoranca, dhuna, kriminaliteti…; aq sheshit dhe të ushtruara thuaja publikisht në hapësirën tonë ballkanike… Këtë ngarkesë bartin në strajcat e tyre personazhet e shumtë të Bashës, që në fillimet krijuese të tij, gjithë me substancë të pasuruar edhe në tregimet e librit që kemi përpara; i gjen, tërë spektrin shtresor të njerëzve, që nga rruga, kafeneja, zyra, sheshi, tregu e kudo shfaqen personazhet që, me veshje, sjellje, gjuhë, e begatojnë prozën me rrëfim fare të veçantë, rrëfim që e identifikon autorin që në pasusin e parë të tregimit….; me përjashtim vetëm të një tregimi, ai që qëndron më vete, përjashta katër cikleve me nga katër tregime të vëllimit Hije në grila, me titull Vetëm një natë, e që mua vazhdimisht më tingëllon si Hani, tregim për hanin….
Tek 15 tregimet e vëllimit Hije në grila hasim situata, personazhe, bëma të pangjashme dhe që gjithandej kanë veshje nuancash të holla, sa të absurdit, sa neurotike ditore, sa komike deri përtej kufirit, në prag grotesk, sa dëshpëruese e dramatike, sa agresive e tjetërsuese, derdhur në një shtrat unik, rrëfim të identifikueshëm qartë të Bashës; sipas një kodi narrativ zhvendosës, së jashtmi, sipas një optike që rrëfimin, imazhin, detajin, sjelljen e personazhit të zhvendosur perspektivash të shumëfishta, të lëvizshme, rrëshqitëse thuaja përmbysëse; te të gjitha zhvendosjet autori u lë një shteg të lehtë lexuesve, për t’i sjellë ato në normalitet, – përmes buzëqeshjeve fiktive, diskrete, apo të pashfaqura qartësisht; të gjitha këto shenja dalluese, spektër nuancash të kësaj poetike narrative, mund t’u shkojë si mbulesë e mundshme kodi grotesk; edhe situatat më përsmadhuese si shfaqje, si imazh i kësaj optike narrative dhe sipas këtij kodi narrativ, autori artikulon rrëfim me nëntekst që penetron thellësive të gjenezës, të rrënjëve, të botës, të realitetit të përmbysur, të prapë; këtë ngarkesë bartin personazhet, këto dromca refuzimi të prapësive përreth, këtë shqetësim, acarim të fshehur pas veshjes gjysmë loje e gjysmë prej vërteti, gjysmë argëtimi e gjysmë dëshpërimi, indiferentizmi dhe gjysmë këmbënguljeje për të nxjerrë sheshit ligësinë, për ta anatemuar të shëmtuarën në hapësirën tonë, në qenien tonë; këtë ngarkesë kanë, me përjashtim të tregimit Vetëm një natë, siç e përmenda edhe më sipër…
Është një natë dhe që shtrihet pafund, epokë; është një njeri që vjen dhe ikën brenda një universi njerëzor; është një han, një strehë sa për një dremkë nga udhëtimi planetar dhe për të vazhduar tutje; pa zë, pa rrëfim, pa lënë gjurmë, as emër, as moshë, as nga, as ku – strehë udhëtimesh universeve; janë udhëtarë që i zë stuhia natën dhe shfaqen te porta e hanit si të ardhur visesh mitike dhe hanxhiu, me fener të ngritur, sa për t’i treguar shkallët mysafirit, hapësirën ndriçuar nga një kërcu që digjet në oxhak, pranë të cilit, në një krah, fle thellë një planetar si ky, që shtrihet mbi postaqinë në krahun tjetër të oxhakut…
Hani, strehë në hapësirë dhe kohë pa fund, për udhëtarë që kalojnë pranë njëri-tjetrit pa ditur kurrë për njëri-tjetrin, shkëmbejnë postaqinë e njëri-tjetrit, pa dëgjuar fatin, stuhinë, dramën, tragjedinë a gëzimin e kërkuar; para se të zhytet në gjumë të thellë, provon të kapë kuptimin e ndonjë belbëzimi jerm dhe asgjë më shumë; le të gjejë lexuesi, në këtë tregim perfekt për hanin, edhe hiret, cenet e një hani modern, fanarë dhe oxhaqe, tallaganë mysafirësh, – nishane të hanit shqiptar, ballkanik, njerëzor…; është përulja e hanxhiut para hallexhiut enigma, ngarkuar mistere, mbuluar tallaganë dhe collniku ngarkuar në shpinë thellësive të natës, gjëmime bubullitëse stuhish, sa të prehen në strehë gjithësie, një sy gjumë për të përtërirë qëndresën përballë sfidave të reja, të pafund; dhe rrëfimi i njohur, sqimtar, perfekt i Eqrem Bashës; dhe përshkrimi i ambientit, – jo dekor pasiv por gjallëri që të fton ta ndjesh funksionin e çdo detaji, që nga kapërcimi i pragut të hanit, deri tek mbështetja e kokës tek një shtrojë e forte; i tillë edhe oxhaku i futur thellë në gropë, flakë pak, që lëshon dritë me ndërprerje, vetëm aty rrotull, sa për të shquar të domosdoshmen; njësoj edhe dy kamaret mbi oxhak, zgavra terri, dhe, “takimi” mes dy mysafirëve, dy qenieve planetësh të largëta, kurrë të parë, që stuhitë e natës pafund i bëjnë bashkë, në gjumë gjejnë njëri-tjetrin, në gjumë tretin në humbëtirë; dy udhëtarë pa emër, pa adresë, pa cak, pa zë, pa gjurmë që s’arrinë të shohin as fytyrën e njëri-tjetrit, pos vetëm gërhitjen apo ndonjë frazë jerm.. kaq, artikuluar polifoni që s’harrohet…
I ardhuri, digjet të zbrazet, t’i rrëfejë tjetrit diç nga collniku që sa s’po pëlcet, atij të shtrirë në krahun tjetër të oxhakut, me shpresë, bindje se ai edhe në gjumë dëgjon, regjistron; dhe vetëm gërhitje bashkëbisede, thurje e rrjedhës, kohë e hapësirë që s’ka fund, kohëhapësirë tejpërtej, këndej e andej; ndërsa, kurrë, as takim, as bisedë, as arritje, as nisje, as nga as ku…; thjeshtë një tregim për hanin njerëzor, të përjetshëm që të ndjell dehje përsiatëse, bredhje hapësirash planetare; për hanin, strehë takimi-mostakimi mes njeriut dhe njeriut, atij dhe zotit, pa mundur të gjejnë përgjigjen as nga dhe as për ku; njeriu enigma, i njohuri i panjohuri i përhershëm…..