Mendja dhe dora e dibranit gjallonte në çdo lëndinë…


Më 21.06.2021, për arsye pune, udhëtova për herë të parë për në Dibër e ky ishte një udhëtim që me të vërtetë e hetova vetëm në vend, që u kishte munguar udhëtimeve të mia nëpër atdhe.
Pavarësisht shokëve dhe miqve të shumtë që i kam nga Dibra, nga dje e pashë se prej tyre nuk kisha pasë marrë asnjë gjë prej gjërave, për ta krijuar përshtypjen time të konsoliduar, sikurse e krijova në një ditë udhëtimi për në atë qytet, i cili dukej që nuk ishte lëshuar dore, por e ruante finesën e vet të patjetërsuar e të “pakaçumitur” nga kaçubeti i tranzicionit shqiptar.
Ndonëse gjatë vajtjes për në vend, më përfshiu përhumbja në soditjen e çdo gjëje, e para së gjithash ajo që më lidhte me atë vend ku shkoja për herë të parë, rasti i vëllait tim të ndjerë, i cili e kishte mbaruar ushtrinë në Dibër, por edhe pleqtë e mi të ndjerë, të cilët kishin shkuar disa herë në llixhat e atij qyteti.
Bile, babai im, për herë të fundit ka dalë nga shtëpia e tij për në llixha, për të mos u kthyer më, sepse nga aty shkoi në vendlindje, ku mbeti pa pikë-shpirti, duke qenë shëndoshë e mirë.
E s’mund ta lë pa e thënë se këto kujtime, së paku më shoqëruan nga Mati ose Klosi, për në Dibër, por edhe më “thartësuan” muskujt e nofullave dhe m’i mveshën sytë.
Për mua, jo vetëm luginat e po ashtu e gjithë “gropa” e Dibrës e rrethuar me male, u prezantuan mbresëlënëse e piktoreske, por edhe vet qyteti i Peshkopisë, pavarësisht nga ndikimet e tranzicionit, ishte dinjitoz, e që në të parë dukej mikpritës.
Që në të parë kishte gjurmë efektive të disa artizanateve që i jepnin qytetit vlerat e tradicionales, të cilat modernia, jo vetëm se nuk mundet t’i zëvendësojnë vetëm në vlerat praktike, por edhe ato morale të tradicionales.
Në monizëm kishim dëgjuar për “Lej Fenin”, e Dibrës, Servet Kosiqin, por pavarësisht hiperbolizimit të atij personazhi në të vërtetë real, shembulli i tij dukej sot e kësaj dite se kishte pasë dhe ka një bazë të gjerë në ato treva, sepse mendja dhe dora e gjallë e dibranit gjallonte në çdo lëndinë fushe, bregore, skutë e kodër me pemëtari e bujqësi.
Udhëtimi im i parë ra në “stinën’ e qershive, të cilat dukeshin me bollëk ne treg, qoshe, rrugë, e kudo në arka, duke i tregtuar, e kjo do të mbetet si opinion për mua, por e di se aty janë të përmendur për mollët, kumbullat, dardhat e shumë e shumë prodhime të tjera.
Gjatë kohës në dispozicion, me qëllim për t’u kthyer prapë për në Tiranë, vizitova Muzeun e atij rrethi, i cili për fat ishte ruajtur dhe kishte se çfarë të shihje në pavionin e arkeologjisë, historisë dhe etnografisë, por me sa dukej qartë, që para vitit 1990 nuk kishte pasur dhe nuk kishte ndonjë investim.
Në pavionin e arkeologjisë gjendeshin objekte (fragmente enësh, sëpata guri, vorba mesjetare etj.), që datojnë nga periudha e Neolitit të hershëm deri në Mesjetë, të gjetura në vendbanimet si: Çetush, Burim, Çidhën, Topojan, Grazhdan, etj.
Në këtë pavion, me mjaft interes, ishte një objekt arkeologjik, Pitos shek. III-II p.e.s-Grazhdan, përkrenare Ilire e shek.IV-II p.e.s Draj-Reç, vorba mesjetare shek. XII-XIII në Kishën e Pesjakës, etj.
Kurse në pavionin historik të atij muzeu, ishte pasqyruar në vija të përgjithshme historia e Dibrës, luftërat, jeta politike, si dhe disa nga figurat që kanë lënë gjurmë jo vetëm në atë trevë, por në historinë e mbarë popullit shqiptar, si: Seid Najdeni, Iljaz Pashë Qoku, Dom Nikoll Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Bajram Curri, Elez Isufi, Haxhi Lleshi etj.
Pavioni etnografik ishtë pavioni më i madh që ka ai muze, i ndarë në tre dhoma, sikurse janë oda e miqve, oda e veshjeve, oda e enëve dhe veglave të punës, një holl i madh, të cilat ishin të pajisura me shumë objekte.
Në mënyrë të veçantë vëmendjen time e tërhoqi oda e miqve, e cila ishte e pajisur në mënyrë të kënaqshme, por që me pak përpjekje, mundej që ta kalonte stadin e improvizimit, duke i bërë një organizim të sipërfaqes së saj dhe vendosjes së objekteve, sikurse ka qenë në mënyrën funksionale te saj.
Pas vizitës së atij muzeu, e cila pa “përtesë” e me çiltërsi malësore më krijoi mundësinë e gjuhës së përbashkët e të njohjeve të reja në qytetin e Peshkopisë, kafja nën hijen e pishave dhe aromën e luleve të blinit, në prezencë të z.Haki Përnezha, studiues, ish – Kryetar i Komunës, anëtar aktiv i Shoqatës “Çidhna dhe Kastriotët”, drejtuesja e Muzeut zj.Morena Ruçi, punonjësja e Muzeut, Anisa Hajrullahi, Miranda Troci Derti, poete, Xhuljano L Derti, (një i ri i cili ishte i interesuar për historinë), krijoi atmosferën e një debati informues për të veçantat e zonave tona respektive, dokeve, traditave, zakoneve.
Ajo kafe për mua ishte jo vetëm një mikpritje bujarie, por edhe tregues i mungesës së hezitimit, afrimitetit e mungesës së komplekseve për t’u ulur në mes veti me një gjuhë të përbashkët e të thjeshtë komunikimi të sinqertë, si vëllezër dhe motra, të cilëve na u dha mundësia të njihemi në mes veti.
M’u dha rasti dhe asistova në momentin kur z. Haki Përnezha ia dorëzoi Muzeut një objekt qeramik, i cili duhet “lexuar” nga specialistët e fushës për përmbajtjen dhe rëndësinë e tij.
Nuk hezitova që të heq paralele në mes asaj që pashë në atë Muze dhe Muzeut në vendlindjen time Tropojë, i cili, edhe pse ishte i dyti në Shqipëri, me një përfaqësim edhe për Kosovën, u piketua për t’u shkatërruar nga armiqtë e popullit tonë dhe u bë pluhur e gjithë ajo pasuri eksponentësh, por pa i hyrë gjembi në këmbë as sot e kësaj dite. Kurse nga aty e mbrapa, ai rreth i “sunduar” nga mediokër e injorantë lidhur me historinë dhe trashëgiminë e popullit tonë, nuk kanë bërë përpjekjen më të vogël për ta rimëkëmbur atë Muze.
Ky ishte një rast për ta mësuar rrugën për në Peshkopi e ta vijoj për atje rast pas rasti.